
Sokol Jareci ka folur për sistemin VAR që është implementuar për herë të parë në kampionatin shqiptar në këtë sezon futbollistik.
Shefi i Sektorit të Gjykimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit tregoi se në 9 javët e para, ky sistem s'ka funksionuar vetëm në 2 ndeshje.
Ai foli dhe për pretendimet e klubit të Skënderbeut duke treguar se pse Enea Jorgji s'ka akorduar penalltinë në ndeshjen kundër Teutës. I ftuar në emisionin "Skaner", Jareci u shpreh:
"VAR ndërhyn atëherë kur arbitri nuk jep një penallti. S'mund të ndërhyjë gjithmonë. Sa i përket gabimeve teknike, ndodh gjithçka. Problematikat kanë qenë te serveri si te ndeshja Partizani - Kukësi dhe Skënderbeu - Dinamo. Për fatin e keq Korçën e ndjekin problemet të tilla.
Pretendimet e Korçës? Te ndeshja Partizani - Skënderbeu është ndërhyrë jashtë protokollit. Pra nuk kishte mundësi arbitri që ta shihte në fushë. Nuk kishim të bënim me penallti. Protokolli e thotë mirë, vetëm në momentet e dukshme. Kanë emocione dhe arbitrat e VAR-it. Është ndërhyrë gabim dhe i është dhënë penallti Partizani.
Rasti i penalltisë? Momenti i parë është prekja e topit me dorë. Kemi bërë prezantimin e prekjes së topit me dorë. Zguro është lojtar mbrojtës vetë dhe një situatë e tillë nuk është penallti. Rregullorja e re e thotë qartë që në dinamikë e sipër, futbollisti nuk bën hapjen e dorës për të krijuar hapësirë më të madhe. Lojtari e ka në pozicion natyral dorën kur e prek topin. Më përpara, Elvi Berisha ka ardhur nga pozicioni jashtë loje ndaj s'është dhënë penalltia", ka përfunduar ai.