
Presidenti deklaroi pas kthimit nga Roma, ku u shpall anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s se synon që impiantin e ri të futbollit të luhet njëra prej finaleve e Supërkupës së Europës ose ajo e Ligës së Kombeve.
"Objektivi për zhvillimin e kompeticioneve ndërkombëtare në Shqipëri? Me investimet që kemi bërë në infrastrukturë kohët e fundit, ne meritojmë që të organizojmë aktivitete ndërkombëtare. Kështu ne kemi aplikuar qoftë në FIFA apo në UEFA, për ato aktivitete që mund të përballojë infrastruktura shqiptare për të rinj apo të reja ose turne. Por, pse jo dhe për një ndeshje si finalja e Superkupës së Europës apo të Ligës së Kombeve. Do të vazhdojmë të aplikojmë nuk besoj se kjo do të ndikojë më shumë se sa arritjet që ka Shqipëria në ndryshimin e infrastrukturës", deklaroi Armando Duka.
Ndër të tjera ai shtoi se gara për të fituar votat e nevojshme nuk ishte e lehtë dhe se detyra e këtij Komiteti Ekzekutiv është të kontribuojë në përmirësimin tërësor të futbollit të kontinentit të vjetër.
"Nuk mund ta fsheh që jam shumë i kënaqur me arritjen, pasi hyra në garë si përfaqësues i Shqipërisë dhe arrita të marrë mbështetjen e shumë vendeve të Europës. Nuk është aspak e lehtë të bindësh 36 prej vendeve, të të votojnë, nëpërmjet punës që ke bërë në futbollin shqiptar.
Nuk është se në UEFA lejojnë anëtarët e ekzekutivit që të marrin pjesën më të madhe të tortës, por ne të gjithë bashkë do të punojmë dhe kontribuojmë për një futboll më të mirë në Europë, duke përfshirë edhe mbështetjen e projekteve interesante", tha kreu i FSHF-së.
Duka fitoi një mandat 4-vjeçar pasi arriti të grumbullonte 36 vota nga 55 federatat europiane.