Odise Roshi është stërvitur për herë të parë me ekipin Akhmat Grozny. Futbollisti i Kombëtares ka lënë pas dëmtimin e rëndë në gjurin e majtë në 25 gusht të vitit të kaluar në kampionatin rus ndaj Uralit. Lajmi i rikthimit të tij në fushë është bërë me dije nga klubi i Akhmatit, i cili publikoi foto të përgatitjes së ekipit po ndaj Uralit në kampionat. Roshi u prin përgatitjeve të ekipit rus.

Megjithatë, edhe pse mund të grumbullohet nga tekniku i Shqipërisë Panucci për ndeshjen e 22 marsit ndaj Turqisë në kuadër të fushatës eliminatore të EURO 2020, anësori kuqezi nuk luan prej gati 7 muajsh dhe mungesa e gjatë mund të ndikojë në mosaktivizimin e tij në sfidën çelëse të kualifikimit të Shqipërisë drejt kampionatit të ardhshëm europian.