
Ibrahimovic shpëtoi nga telashet e trafikut vetëm nga një motorr dhe një tifoz zemërmirë i Milan. Italiani e mori sulmuesin që kishte mbetur në trafik, duke e dërguar me vonesë në mbrëmjen e Sanremos, aty ku suedezi është bashkëprezantues edhe për disa netë.
Emri i "shpëtimtarit" është Franco dhe për mediat në Itali ka theksuar se gruaja nuk e besoi pasi e mori në telefon, ndërsa Ibra dëshironte që të ngiste vetë mjetin.
"Kishte shumë trafik atë ditë dhe vendosa të dal me motoçikletë. Po kthehesha në shtëpi në Borgio Verezzi dhe i ndaluar në trafik, shoh një furgon të zi me dy persona brenda. Njëri m'u duk si Ibrahimovic. Mendova: 'Por ky është Ibra'. Në atë moment shoferi uli xhamin dhe më tha 'Ibra pyet nëse e çon në Sanremo'. Unë iu përgjigja 'Po, sigurisht nuk ka problem'.
Nuk u mendova dy herë, edhe për faktin se kisha një tjetër kokore nën ndenjëse. I telefonova gruas sime dhe i thashë që po shoqëroja Ibrën në Sanremo, por ajo nuk më besoi.
Donte ta ngiste ai motorin, por i thashë se do ta bëja unë. Ajo që tha në televizion është e vërtetë. Ishte hera e parë që merrja autostradën. Fatmirësisht, kishte pak trafik", tha personi që shoqëroi Ibrën në Sanremo.