
Shpëtim Duro zhvilloi një sezon fantastik me Laçin sezonin e kaluar. Tekniku kryeqytetas së bashku me skuadrën kurbinase luftuan deri në fund për titullin kampion, ndërsa bën edhe ecuri historike në Kupat e Europës. Laçi shkoi në turin e 3-të dhe u eleminua nga Anderlehti. Në një intervistë në v "Sport Neës", Shpëtim Duro analizoi Superligën, ndërsa zbuloi edhe largimin nga Laçi.
Largimi nga Laçi? "Para Europës ka qenë edhe një ndjenj pozitive pasi Laçi për herë të parë në histori luftoi për titullin kampion. Është hera e parë, por qershia mbi tortë ishte pjesëmarrja në Europë dhe ishte një paraqitje historike dhe që nuk ishte arritur më parë. Mbarova detyrën time dhe kontratën dhe sigurisht jo çdo trajner duhet të largohet kur nuk ka rezultatet, por duhet të largohet kur e shikon që është momenti i duhur. U largova me kokën lartë duke referuar paraqitje shumë të mira në kampionat dhe në Kupat e Europës.
Është e vështirë kur drejton një skuadër jo me shumë emër, nuk është njësoj kur drejton Partizanin apo Tiranën. Laçi nuk është në nivelin e këtyre ekipeve përsa i përketë historisë dhe me këto ekip është akoma më e vështirë të arrish rezultate e për këtë arsye ndihem mirë. Kam arritur edhe me ekipe dytësore, si me Besën në 2010 apo me Skënderbun që riktheva titullin pas 70 vitesh".
Sfida Partizani-Vllaznia? Unë pashë lojën, barazimi ishte rezultati më i drejtë, edhe pse Vllaznia ishte pranë fitores. Për atë që dhanë skuadrat në fushë, barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Nga katër skuadrat që ishin për titull në sezonin e kaluar, Vllaznia me Teutën e kanë filluar kampionatin ku e kanë lënë, kurse Partizani dhe Laçi e tregon edhe kuota e pikëve që nuk e kanë filluar ku e kanë lënë, megjithëse them se është herët. Sipas mendimit tim personal, çdo gjë do të ndryshojë. Por Vllaznia ka pasur ndeshje me Partizanin, Teutën e Laçin. Duke patur parasysh këto përballje, kam mendimin se është një hap para, më serioze si skuadër për titullin. Kanë ruajtur boshtin dhe kanë bërë përforcimet e duhura dhe them se kanë rritur jashtëzakonisht shumë fuqinë sulmuese të skuadrës. Ka një afrim si Latifi, nuk ka akoma nivelin e tij, por sigurisht që do të vijë gradualisht rritja e tij. Ka ardhur Aralica, një sulmues tipik, Gjurgjeviç.
Mos harrojmë që i mungon Hoxhaj i cili ka qenë vendimtar në sezonin e kaluar. Por ka keqmenaxhuar ndeshjet, në aspektin e mbrojtjes. Ishte 2-0 në avantazh në Laç, tregon dobësi menaxhimi të situatave, edhe me Teutën e Partizanin. Ka probleme Vllaznia nëse nuk menaxhon avantazhin, por e shoh një hap para të tjerëve. E para është që edhe vjet ishte skuadër shumë solide. E dyta, ndryshimi i administrimit të klubit te një person i vetëm është shumë pozitiv për Vllazninë. Stadiumi patjetër, është impiant modern dhe tifozeria dihet që është përkrahje por edhe presion i madh ndaj kësaj skuadre. I ka elementët ndaj them është hap para, por është herët akoma.
Është fillimi por Partizani është një skuadër shumë e kompletuar. Them përsëri se ka afruar shumë futbollistë të spikatur në sezonin e kaluar, organikën e ka të mbipopulluar. Them që ka dy krahët, për mendimin tim Musta e Marku ndoshta ishin më të mirët në Superiore. Ka marrë emra cilësorë si Markun e Vllaznisë, ka marrë Shehin, ka marrë në fund një superlojtar me investim serioz si Kaçe, apo Filipoviç. Ka organikën e duhur për titullin kampion, por nuk e ka filluar mirë se nuk mjafton vetëm dominimi i lojës, por janë rezultatet ato që vendosin".
Deklarata e presidentit Gaz Demi? "Presidenti Demi është ndër më seriozët për plotësimet e kërkesave në çdo aspekt. Por për presionin nuk mund ta them me garanci. Kështu isha unë te Partizani, kisha kontratë 3-vjeçarë por qëndrova vetëm një vit. Ndaj të mos i referohemi shumë intervistave e deklaratave se asnjëherë nuk është 100% sa thonë këto deklarata".
Forma e Tiranës? Tirana zhgënjeu në sezonin e kaluar. Nuk arriti as objektivin minimal, Europën. Është një humbje e madhe, edhe nga aspekti financiar. Kur nuk arrijnë në Europë, kanë humbje të mëdha, edhe për emrin. Këtë vit ka bërë investime, ka skuadër shumë të mirë, lojtarë si Limaj e Totre që i kam drejtuar. Sinqerisht them që Tirana ka gabuar më shumë nga të tjerët, duke pasur kundërshtarë që luftojnë për pjesën e poshtme të tabelës, ka gabuar shumë dhe tani është futur në presion. Ka ndeshje të rëndësishme që pret Laçin, janë dy skuadra në presion nga të dy krahët. Çdo gabim i tyre dhe nis shkëputja e grupit të sipërm të tabelës. Gjëja më e bukur është që është kthyer Seferi me gola. E njoh që 18 vjeç në Maqedoni, është cilësor. Nuk është lojtar tipik goli, por kur nis të shënojë është i rrezikshëm. Megjithatë, rezultatet lënë për të dëshiruar te Tirana".