
Valon Ahmedi, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare aktualisht luan në Bjellorusi me Shakhtar Soligorsk. Për Sport Time, Ahmedi ka treguar për largimin nga Shkëndija, eksperiencën e re dhe dëshirën për t'u rikthyer në Kombëtare.
Lojtari luan aktualisht në ish-ekipin e Bakaj dhe Llullakut, ndërsa ka treguar se e ka kontaktuar Skënder Gega kur ishte trajner I Partizanit.
"Momentet më të bukura të karrierës I kam pasur në Maribor, aty ku mora pjesë në Champions League. Më erdhi ftesa në Kombëtaren e Shqipërisë pas kësaj aventure. Këtu në Bjellorusi synojmë Ligën e Kampioneve. Jemi në vendin e parë dhe synojmë të kemi këtë rritëm. Futbolli është çështje fati.
Trampolinë? Po ta marrësh me vitet, në Itali thonë se karriera nis në moshën 30 vjeç. Jam 26 vjeç dhe e di se kam diçka, një talent të dhuruar nga Zoti. Them ta shfrytëzoj mirë. Tani jam I pjekur dhe e di çfarë dua nga jeta. Pastaj çështjet e tjera janë private.
Ditën e parë kur mbërrita te klubi më thanë se a do bëhesh njësoj si Bakaj. I kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe më kanë vlerësuar maksimalisht.
Peng te Shkëndija? Është ekipi që kam në zemër, përfaqëson gjithë shqiptarët dhe I uroj gjithë të mirat. Karriera e futbollistit është e tillë. Pandemia? Këtu sikur nuk ekziston virusi, jeta është normale edhe në futboll. Tifozeri ka, me dy fjalë virusi nuk ekziston.
Kombëtarja? I ndjek të gjitha ndeshjet, jam I gatshëm në çdo sekondë, në çdo aspekt për të dhënë maksimumin. Në Bjellorusi është kampionat fizik dhe dua të jap më të mirën.
Me Rejën nuk kam pasur kontakte por mbase në të ardhmen. Kur isha me Maribor më kontaktoi Partizani kur ishte Skënder Gega. Kampionati është shumë cilësor në Shqipëri dhe në të ardhmen nuk i dihet", tha Ahmedi.