Kanë qenë muaj të vështirë për Leonardo Bonuçin, pas sëmundjes së djalit të tij të vogël, Mateos, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Mbrojtësi i Juventusit, në një intervistë për 'La Repubblica' ka rrëfyer çastet kur djali i tij ishte në sallën e operimit, ankthin dhe frikën për shëndetin e tij, madje ka pranuar se në një moment mendoi të tërhiqej nga futbolli.
"Kur Mateo hyri në sallën e operimit, shtrëngova fort arushin e tij, u ula dhe iu drejtova Zotit: "Le të bëhet vullneti yt, por mos harro se është ende fëmijë", tregon Bonuçi për 'La Repubblica'.
Fjalë rrënqethëse dhe histori prekëse për këdo, ndërsa Bonuçi tregon se pas operacionit, djali i tij u përmirësua në kohë rekord.
"Kur dolëm nga spitali pashë se na prisnin me dhjetëra njerëz, familjarë dhe miq. Dikush kishte kërkuar leje në punë, të tjerë kishin mbyllur aktivitetet e tyre.
Pikërisht për ata, por edhe për shokët e mi të skuadrës, për tifozët, jo vetëm të Juventusit, të cilët më qëndruan pranë në atë moment të vështirë u preka dhe qava gjatë intervistës në TV. Ishte thjesht një moment ku u preka gjatë falënderimit ndaj tyre.
Mateo u kthye në shtëpi më 10 gusht, fiks 13 ditë pas ndërhyrjes. Rikuperim rekord!", tregon mbrojtësi i Juventusit.
Por, e keqja ende nuk kishte kaluar për familjen Bonuçi. "Nisi faza e pritjes për të parë përmirësimin e Mateos pas operacionit. Ditë mes frikës dhe shpresës. Ia shpjeguam situatën Lorencos (djalit tjetër), folëm gjatë dhe me durim të madh me Mateon për ta bërë atë të vetëdijshëm për çfarë i kishte ndodhur dhe i thamë se nuk duhet të ndjente frikë, sepse do të ishte i shëndetshëm si më parë.
Gjatë atyre ditëve më kaloi nëpër mend që të lija futbollin. Nuk po ia dilja dot mbanë të kaloja atë moment të vështirë".
[caption id="attachment_68698" align="alignleft" width="300"] Leonardo Bonuci me familjen: bashkeshortja Martina dhe dy djemte e tij[/caption]
Thelbësore për ekuilibrin e Bonuçit ka qenë bashkëshortja, Martina.
"Me këmbënguljen dhe energjinë e saj më bindi që ajo ishte e duhura për mua dhe i kërkova të martoheshim.
Më ka dhënë gjithnjë mbështjetje dhe stabilitet dhe ka qenë gjithnjë pranë meje kur jam rrëzuar duke më dhënë kurajë për t'u ringritur, ashtu siç ndodhi kur u shpalla i pafajshëm pas akuzave për bastet sportive.
Martina më ka mësuar të jem krenar për veten, në të mirë dhe në të keq. Kam kuptuar se në raste dhimbjeje, të gjitha familjet ngjasojnë. Rëndësi ka që të luftosh", tha Leonardo Bonuçi, i cili për momentin është i dëmtuar dhe i ka munguar Juventusit në ndeshjet e fundit.