
Në një intervistë për Supersport, Ivan Gvozdenoviç ka rrëfyer se ishte trajneri Ze Maria ai që e largoi nga Tirana.
Ndihmës trajneri i Kukësit është shprehur se ardhja e brazilianit me gjithë stafin e tij solli edhe largimin e detyruar.
“Tirana kaloi moment shumë të vështirë. Ishte një eksperiencë e madhe për mua. Ia kalova shumë mirë. Unë u largova sepse unë jam trajner i parë ose i dytë, jo i katërt ose i pestë. Ai zotëria, Ze Maria, ka ardhur me stafin e vet. Unë nuk isha i kënaqur ashtu. Më mirë te Kukësi, një klub kampion. Tani të shohim. Por, kam respekt për Tiranën. Është një klub i madh, më i miri në Shqipëri. Kam besim se Tirana do të ringrihet”, shprehet Gvozdenoviç.
Për trajnerin serb, ky është një rikthim te Kukësi, pasi ka qenë pjesë e skuadrës edhe tre sezone më parë në rolin e zv.trajnerit.
“Më kërkoi Milinkoviç, i cili është një trajner shumë i mirë, me të cilin uroj të kem sukses. Herën e fundit te Kukësi isha si lojtar-ndihmëstrajner. Tani vij me rol më të qartë”, tregon Ivan Gvozdenoviç.
Gvozdenovic e ka ushtruar prej 7 vitesh në Shqipëri profesionin e futbollistit e më pas të trajnerit. Kombësia e tij serbe nuk e ka penguar të fitojë simpatinë e tifozëve por edhe të drejtuesve të skuadrave ku ka punuar. Në këtë kënvështrim, nuk sheh asnjë problem që bashkë me një tjetër serb, trajnerin e parë Milinkovic, do të jetë në krye të Kukësit.
“Trajneri serb? Trajneri nuk ka pasaportë, sporti gjithashtu nuk ka pasaportë. Është e vërtetë që jemi staf serb, por punojmë me shqiptarë dhe futbollistë nga shumë vende. Për ne ka rëndësi të marrim rezultate pozitive dhe stafi i Kukësit është i përqendruar vetëm aty”, përfundon Gvozdeniviç.