
Tirana fiton ndaj Laçit me rezultatin 2-1, duke sjell qetësinë në klub pas furisë që i pushtoi në javët e kaluara me rezultatet negative të marra në kampionat. Bardheblutë ndodhen në vendin e dytë me 14 njësoj me Partizanin e vendit të tretë, por Tirana ka shënuar më shumë.
Në studion e SportNews, është i ftuar drejtori teknik i Tiranës, Arbi Laçi i cili u shpreh për gjendjen e bardhebluve pas fitores ndaj Laçit.
"Në renditje jemi me pikë të barabrata me Partizanin. Do thoja jemi në disavantazh, pasi kemi humbur në ndeshje direkte dhe nëse kampionati do mbyllej sot, ne do të ishim poshtë Partizanit në renditje. Kemi marrë tre pikë të rëndësishme për rikthimin e qetësisë brenda klubit. Bëmë një ndeshje të mirë morrëm atë që duhej. Rrezikuam pak, e përjetuam me panik dhe me ankth duke patur parasyh Flamurtarin që na ndëshkoi në fund. Duhet të shikojmë ndeshjet njëra pas tjetrës. Kalendari është i vështirë për të gjithë. E rëndësishme është që të marrim më të mirën në çdo javë dhe të gabojmë sa më pak", u shpreh Arbi Laçi.
Mbi ndeshjen me Laçin:
"Më shumë e kishim përjetimin me veten. E kishim me veten me rezultatet e mëparshme. Na duhej kjo fitore për të fituar qetësi. Pësuam dy humbje me rivale direkt, barazuam nëVlorë. Kur ke të bësh me një klub të madh për të fituar Titullin pritshmëritë janë të mëdha. Ndryshe flitet për ne dhe ndryshe e përjetojmë ne. Gjërat janë të qeta, euforia e fillimit të kampionatit na bëri mirë tani që të ulemi pak me këmbë në tokë. Duhet të përmirësojmë pak mbrapa sepse kemi pësuar 8. Më mirë të shënojmë pak dhe mos të pësojmë. Një vit më parë shënonim shumë pësonim shumë. Viti është i gjatë, kemi punë për të bërë. Besoj se objektivat do të arriten se ka karakter në skuadër ka kualitet"
Largimi i Memës:
"U fabrikua një thashethem mediatik. Kam refuzuar që të jap përgjigje më parë sepse doja që kur të riniste dita tjetër e stërvitjes të ishte me trajnerin aktual. Nuk është fundi i botës të ndalosh dhe të barazosh. Nuk kishte asnjë diskutim, ishte një moment jo i mirë dhe thashethemet u mbyllën me rikthimin e Memës aty ku ishte. Nuk ka patur asnjë ultimatum për asnjë, do të ketë zëra të ngritur dhe kërkësa llogarie sepse kemi objektiva dhe je i punësuar aty, por jo ultimatume sepse jemi tepër herët për këtë", përfundoi Arbi Laçi.
Për Teutën e cila kryeson kampionatin deri më tani:
"Ne kemi sulmin më të mirë dhe Teuta ka mbrojtjen më të mirë. Kjo e bënë të jetë një kockë e fortë. Besoj se do të jenë gjithmonë aty. Mendoj se dhjetori do të jetë momenti që do të tregoj se kush ekip do të luaj për titull dhe kush për poshtë. Teuta ishte një surprizë vjet sot është një realitet", shtoi Arbi Laçi.
Flamurtari:
"Në një diskutim me skuadrën, përmenda se për dy pikët që lam në Vlorë do të pendohemi shumë në fund. Është nga gabimet që do ta kujtojmë më vonë dhe s'duhet ti kishim lënë dy pikë. Më vjen keq se është një emër i madh dhe është projektuar për të rënë që në këtë fazë të kampionatit. Nuk na i mori Flamurtari pikët në fakt por gabuam dhe i lam ne 2 pikë në Vlorë", tha Arbi Laçi.