
Ditën e sotme ka pasur një takim mes Federatës shqiptare dhe klubeve të Kategorisë së Parë për rifillimin e sezonit. Pas këtij takimi është arritur marrëveshja që kampionati të rifillojë në 7 qershor, një javë më vonë se Superliga. Në fund të këtij diskutimi, Sekretari I FSHF-së, Ilir Shulku është shprehur se synimi I Federatës që është rifillojnë të gjitha aktivitetet sportive.
“Sot kishim një takim me të gjithë presidentët e klubeve të Kategorisë së Parë dhe ramë dakord që të rinisim me 7 qershor. Dihet që janë dy grupe, që luajnë për mbijetesë dhe për ngjitjen në Superiore”, shprehet fillimisht Shulku.
“U treguam përfaqësuesve të klubeve për takimet që kemi bërë me ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë, ua bëmë të qarta detajet e protokollit sanitar. Janë të gjithë dakord që do t’i përmbushin dhe tani presim datën e rifillimit.
Çdo gjë është OK nga ana jonë. Nuk pati debate, e vetmja kërkesë erdhi prej disa klubeve, për mbulimin e kostove shtesë që do të ketë kjo fazë e mbetur. Kjo u la të diskutohet në një moment të dytë”.
Kategoria e Dytë? “Do kemi takime edhe me klubet e Kategorisë së Dytë, me përfaqësues të akademive dhe do vazhdojmë me diskutimet. Jemi të mendimit të luhet futboll në të gjitha nivelet. Shpresojmë edhe në mirëkuptimin e ekspertëve të shëndetësisë dhe të zbatojmë protokollin sanitar, që tashmë është dakordësuar dhe ta mbyllin sezonin në fushë”.