Golat nuk janë pika e fortë e Kategorisë Superiore. Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe golat e shënuar në javën e fundit, ku java e 22-të "dhuroi" vetëm 9 gola në 5 ndeshje.
Për të përforcuar akoma më shumë këto statistika, mund t'i hedhësh një sy listës së golashënuesve, me Amadu Latif që ka gjetur vetëm në 9 raste rrjetën e skuadrës kundërshtare. Pas sulmuesit të Teutës gjendet Dejvi Bregu. Ish-mesfushori i Luftëtarit ka shënuar vetëm 8 herë me fanellën e Skënderbeut, aq sa Reginaldo i Kukësit dhe Roger i Kastriotit.
Në kuotën e 7-të golave janë futbollist si Vasil Shkurtaj e Ndriçim Shtubina, ndërsa në kuotën e 6 rrjetave gjendet Gerhard Progni. Për të gjetur një futbollist të kryesuesve të Superligës, Partizanin, duhet të ulim sytë në kolonën e 8-të, aty ku gjendet Jasir Asani.
Maqedonasi ka shënuar 5 gola në këtë sezon, duke qënë futbollisti më produktiv i 15 herë kampionëve të vendit këtë sezon.
