
I ftuar në emisionin "Procesi Sportiv" Redi Jupi ka folur në lidhje më temën e hetimit të Luftëtarit nga UEFA. Redi Jupi u shpreh se në Shqipëri ka ardhur koha të ketë ndëshkime të rënda për ata që trukojnë ndeshje. "
"Nuk mendoja se do të ndodhte prapë një gjë e tillë, sidomos pas problemeve me Skënderbeun, ishte një dënim që dha një sinjal, ka pasur edhe më parë, dënimi që u dha e njollos futbollin shqiptar në një mënyrë të tillë në të cilën ne duhet të reflektojmë se si të ringrejmë sistemin. Nuk mendoja që do të përsëritej te një ekip tjetër shqiptar, që po bënte mirë, simpatik, që kishte zgjuar interesin e publikut, po bëhej tifoz me ta një pjesë e madhe e publikut shqiptar, me futbollin që po bënin, lojtarët që kishin, i bënë tifozë të gjithë. Kjo ishte goditja më e madhe që mund t'i jepnin kampionatit.
Më la shije të keqe që kur shkarkuan Likën. Ekipi më i mirë i sezonit, trajneri më i mirë i sezonit, e largoi. Kështu bënte Tirana se në fund i shkarkonte trajnerët edhe kur merrnin titull. Por Luftëtari, që vinte nga kategoria e parë luftonte për mbijetesë, shkon në Europë dhe këtë trajner e shkarkojnë. Njerëzit që punojnë, lojtarët, trajnerët, nëse nuk respektohen në mënyrën e duhur nga një skuadër tregojnë çfarë prirje ka skuadra ndaj futbollit".