Turneu i merkatos do vazhdojë të jetë aktiv në këtë verë të nxehtë. Emri i Paul Pogba do të vazhdojë që të fluturojë nga Italia në Angli e më pas në Spanjë. Nuk kanë qenë vetëm zërat e ditëve të fundit për një kalim të mundshëm të tijin drejt Manchester United, por Zinedine Zidane duket se po e tërheq lojtarin në objektivin e Real Madrid. "Nuk e di nëse do të jetë i joni apo jo, do të punojmë deri më 31 gusht dhe mund të ndodhë gjithçka", thotë trajneri i madrilenëve nga Coumbus në Shtetet e Bashkuara kur Real do të ndeshet sot me PSG për International Champions Cup.
Fjalët e Zidane bëjnë që të kuptosh se spanjollët nga sot kanë interes që të kenë shërbimet e francezit, por konkurrenca vjen nga Anglia, United është gati që të depozitojë 120 milionë euro për të marrë mesfushorin e Juventusit. "Të gjithëve iu pëlqen Pogba, është lojtar i madh dhe Reali dëshiron gjithnjë më të mirët", shpjegon Zizu.