
Donaldo Açka nuk është më pjesë e Universitatea Cluj në Rumani. Pas një viti dhe dy eksperiencave në ligën e parë rumune, 23 vjeçari është në kërkim të një aventure të re. Kriza që kaloi klubin rumun bëri që drejtuesit mos rinovonin me 14 lojtarë, mes tyre edhe Açka.
Mbrojtësi që luan edhe si mesfushor nuk është i panjohur në Shqipëri, teksa për dy sezone në vitet 2018-2020 ishte pjesë e Luftëtarit në Superligë, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit duke zhvilluar 41 ndeshje.
Newsport.al kontaktoi me lojtarin, që tregon se është i lirë për të pritur çdo ofertë. Açka duket se i "shkel syrin" klubeve të Superligës shqiptare, ndërsa nuk e përjashton mundësinë e një kthimi në elitën tonë.
"E kam mbyllur marëveshjen në Rumani dhe jam lojtar i lirë. Shqipëria? Jam gjithmonë i hapur dhe po pres të shqyrtoj ofertat. Është shumë herët për ta ditur se cilin kampionat do zgjedh", tha shkurtimisht Açka.