Vetëm një gol i shënuar në dy fazat e para në 13 ndeshje në të cilat është aktivizuar me Flamurtarin, ai në barazimin 1-1 me Partizanin, por Danilo Alves ka spikatur edhe duke krijuar volum përpara ku ka veshur shpesh edhe kostumin e njeriut asist për vlonjatët Sulmuesi brazilian që nga Turqia ku ndodhet për fazën përgatitore e pranon në një intervistë për “Supersport” se, prioritet për të nuk janë thjesht golat por suksesi i skuadrës.
“Unë po përpiqem të bëj punën time, e cila është edhe të ndihmoj shokët e skuadrës, e rëndësishme është fitorja. Normalisht që unë dua të shënoj sa më shumë , por mendoj se më shumë vlerë në cdo ndeshje kanë 3 pikët për Flamurtarin”.
Megjithatë Alves e pranon se në gjysmën e dytë të sezonit shpreson ta tundë më shpesh rrjetën e skuadrave kundërshtare duke larguar edhe sirenat e merkatos.
”Unë kam kontratë me Flamurtarin, është e vërtetë se në pjesën e parë nuk kam shënuar dhe aq shumë, por po punoj që të gjej më shpesh golin në pjesën e mbetur të sezonit”.
Braziliani është i kënaqur me fazën përgatitore të Flamurtarit në Antalia, përtej faktit që skuadra vlonjate humbi 2-0 miqësoren e parë ndaj Tobol.