
Ngjarjet e shëmtuara rreth një orë përpara fillimit të derbit mes Tiranës dhe Partizanit nuk do të kalojnë pa u dënuar as nga ana penale. Zaptimi i fushës nga tifozët, përplasja me mjete të forta mes tyre, organizimi i dobët dhe gjakosja e disa personave janë disa nga pikat ku po heton organi i akuzës.
Prokuroria po heton në lidhje me këto ngjarje disa persona nga klubet respektive, tifozë të caktuar por edhe organizatorët që nuk kishin marrë masat e duhura. Mes emrave të proceduar penalisht, nuk shihet ai i drejtorit të stadiumit "Selman Stërmasi". Ksenofon Haskoçela u pyet lidhur me këto ndodhi dhe për përgjegjësinë e tij në këto ngjarje. Ai u pezullua nga klubi i Tiranës por u rikthye serish në punë.
Federata Shqiptare e Futbollit dënoi klubet përkatëse me gjobë dhe ndeshje pa tifozë, gjithashtu pezulloi përjetësisht tetë tifoze nga çdo stadium. Me Prokurorinë që ka marrë çështjen në dorë, përgjegjësit e atyre akteve nuk do ia hedhin lehtë.