
Skuadra e Luftëtarit duket të jetë në rrugë të mbarë. Në klubin gjirokastrit ka ardhur edhe tekniku i ri, që do të drejtojë skuadrën e Luftëtarit për sezonin e ri 2016-2017. Bëhet fjalë për Mladen Milinkovic, i cili ka një karrierë të pasur, ku ka drejtuar shumë skuadra të huaja. Trajneri i ri i gjirokastritëve është sjellë nga një kompani menaxheriale, e cila ka qenë "shkesi" për ardhjen e tij në krye të pankinës së Luftëtarit. 48-vjeçari ka një projekt ambicioz me skuadrën, duke menduar edhe për të ardhmen e saj. Sipas gjasave, ai po projekton një skuadër me moshë të re, duke përfshirë në organikë element të rinj, që janë nën moshën 23 vjeç. Serbi i Luftëtarit ka mbajtur në skuadër më të mirët e sezonit të shkuar, duke larguar përfundimisht nga ekipi futbollistët të cilit kishin një moshë të madhe mbi supe. Ditët në vazhdim priten prurje të reja skuadër, teksa sytë janë drejtuar nga tregu i huaj, e më pas do të kërkojnë nga ky vendas. Sipas programit të caktuar nga stafi i skuadrës, data e seancës së parë stërvitore do të jetë pikërisht 11 Korriku. Lojtarët e grumbulluar në ekip, do të vihen nën urdhrat e teknikut të ri serb Mladen Milinkovic, i cili ka ardhur me qëllime serioze te ekipi Luftëtarit. Gjithashtu po mendohet edhe për një fazë përgatitore, ku pritet të zhvillohet në Greqi. Megjithatë ditët në vazhdim do e sqarojnë plotësisht këtë fakt.