
Fitorja e sotme e Shpresave ndaj Uellsit 2-1 në "Selman Stërmasi" rezultoi një "monolog" i futbollistit të Chelseat Armando Broja. Djaloshi 17-vjeçar shfaqi klas, iniciativë dhe vetbesim duke realizuar i vetëm dy golat që i dhanë kuqezinjvë të vegjël një fitore me rëndësi për të ardhmen.
Edhe pse vetëm 17-vjeç, me këtë takim Broja demonstroi se mund të luajë në nivele më të larta të futbollit, edhe pse është në hapat e para të karrierës.
Ai është pjesë aktive e skuadrave zinxhir të kombëtares sonë U17 dhe U19, ku me këta të fundit që drejtohen nga Nevil Dede ka realizuar dy herë në dy takime.
I lindur në Slough të Anglisë, pavarësisht se është i gjatë 1.83 m, Broja zotëron shpejtësi dhe qarkullim të mirë të topit. Pavarësisht se ka lindur në anën tjetër të Europës, ai nuk e ka refuzuar thirrjen nga Shqipëria për ta përfaqësuar në futboll.
Në 21 takime të zhvilluara këtë sezon me Chelsea U18 në kampionatin anglez për këtë grupmoshë, Broja ka realizuar dy herë dhe ky është vetëm viti i parë në karrierën e tij.
Megjithatë, pavarësisht se luan në një nga akademitë më premtuese të Europës dhe në "atdheun e futbollit", tekniku Alban Bushi u bind sot për t'i dhënë besim Brojes. Pavarësisht, se shqiptarët janë të shpërndarë në shumë klube të botës, shumë prej tyre nuk janë thirrur në kombëtare.
Duke parë golat e sotëm të tij, Broja mbase ka arritur të fitojë "betejën e parë" në karrierë dhe nëse trajtohet me kujdes dhe i qëndron strikt disiplinës, ai mund bëhet një "xhevahir" edhe për kombëtaren e madhe, e cila e ndien shumë nevojë e një "bomberi" dhe futbollisti teknik/Newsport/.