Futbolli në Shqipëri është ndalur për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste dhe presidentët e klubeve. Të gjithë së bashku kanë vendosur që kampionati të mos rifillojë deri në momentin që Qeveria të plotësojë 4 kërkesat e tyre. Ditën e sotme Deputeti i ngarkuar nga Kryeministri Rama, Fidel Ylli zhvilloi një takim me presidentët e Ligës, ndërsa i ftuar në “Pressing” në ABC Neës ka zbuluar se çfarë është biseduar sot, por edhe prapaskenat me presidentin e FSHF-së, Duka dhe presidentin e Partizanit, Gaz Demi.
“Humbi një javë kot. Duhet të uleshim të flisnim për ndeshjet, por u morëm duke folur nëpër studio. Unë kisha një detyrë, i autorizuar për të folur me Ligën Profesioniste e Futbollit. Qeveria ishte e gatshme të fliste dhe unë do isha në mes. Ishte një tavolinë shumë serioze, që ata e bojkotuan.
Mendoj se në UEFA nuk pranohet bojkoti. Në mars të vitit 2018 kryeministri ka bërë disa premtime, disa kanë nisur, siç është Kodi Penal. Në amendimet e fundit 10 ishin të futbollit. Kam biseduar me Dukën dhe i kam thënë për amendimet. BE kërkon edhe kapitullin e sportit, ato nuk pranojnë bashki pronare klubesh.
Nuk dua të jap detaje nga bisedimet. Pati disa tensionime në fillime. Ka gjëra që qeveria duhet t’i bëjë më mirë për sportin. Kam pasur një takim me z.Demi dhe ai ma tha që është gafë që nuk jemi takuar. I thashë që i mirëkuptoj. Pasi foli me mua ka biseduar me presidentët dhe i kanë dhënë OK që të flasim bashkë me Dukën. Folëm me ta, në emër të ligës. Ndaj edhe isha në takim sot”, u shpreh Fidel Ylli.