
Ndryshimet te Partizani nuk do të marrin fund vetëm me afrimin e Renato Malotës. Ish-kapiteni i Kukësit ka firmosur sot me të kuqtë, pasi ka rënë dakord për çdo detaj të kontratës, ndërsa rikthehet në ish-ekipin e tij pas plotë gjashtë vitesh.
Afrimi i Malotës mësohet se do të sjellë një tjetër largim te “Demat”. I afruari me bujë gjatë merkatos së janarit, Sodiq Atanda, i cili gjatë ditëve të fundit është dhe personi më i sulmuar brenda kampit të kuq, duket se do të bëjë gati valixhet.
Prapaskenat zbulohen pas aktivizimit të paktë të futbollistit Nigerian gjatë ndeshjeve në Europë, por edhe se situata e tij nuk është pozitive si më parë. Pritet që në ditët në vijim të ketë dhe lëvizje të tjera në merkato te të kuqtë, të cilët gjithashtu po kërkojnë dhe mbrojtës të majtë.