
Juventus ka fituar 2-0 miqësoren e parë në tokën amerikane kundër Guadalajara Chivas të Meksikës. Sfida e luajtur mëngjesin e sotëm me orën shqiptare është vendosur nga golat e De Greca në minutën e 10 dhe Compagnon në të 80’.
Tej dominimit të Zonjës, në këtë sfidë për bardhezinjtë debutuan edhe afrimet e verës, Angel Di Maria dhe Paul Pogba. Argjentinasi tregoi nivel të lartë loje, duke dhënë shpresë për Allegrin se do jetë pikë kyçe e sezonit të ri.
Pas ndeshjes foli edhe trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri. Livornezi u fokusua te forma e sulmit, duke ngritur në “qiell” Di Maria dhe Pogba.
"Një provë e mirë, skuadra ka punuar shumë edhe në Torino këto ditë dhe mund të shihni rezultatet, loja u luajt mirë ritme të larta, si në pjesën e parë ashtu edhe në atë të dytë.
Jam i kënaqur me të rinjtë. Tani le të vazhdojmë kështu, sepse duam të bëjmë mirë edhe në miqësoret e radhës. Më pëlqeu Fagioli dhe po ashtu edhe Gatti, i cili ishte mirë në aksionin e golit të parë, megjithëse padyshim që duhet të thithë ende disa mekanizma mbrojtës.
Di Maria bëri një sfidë të mirë, shumë i dobishëm për të vendosur minuta në këmbë në këtë fazë të hershme të sezonit.
Pogba? Një nga lojtarët më të fortë në botë, ai i jep kualitet të jashtëzakonshëm mesfushës. Bëri një paraqitje të mirë, ka disa aspekte për të punuar, por ai do të jetë një nga simbolet e këtij ekipi.
Italia? Diferenca e Juventusit këtë vit do të jetë te objektivat. Duhet të kthehemi te fitorja. Vitin e kaluar ne bëmë mirë në mbrojtje, por na munguan golat, ishim sulmi i njëmbëdhjetë dhe këto shifra absolutisht nuk mjaftojnë për të fituar.
Interi është ende favorit. Milan ka pasur një kampionat të jashtëzakonshëm, do të jetë një provë e mirë për ta, sepse përsëritja e Scudetto-s është gjithnjë më e vështirë", tha Allegri.