
Vllaznia duhet të mendojë për kampionatin dhe objektivin e saj për t'u ngjitur në Kategorinë Superiore. Pas kërcënimeve ndaj drejtuesve të klubit, skuadra duhet të përgatitet për takimin e së dielën në kuadër të javës së 23-ë të Kategorisë së Parë me Erzenin. Pavarësisht se konsiderohet një "finale e parakohshme", te kuqeblutë ende nuk është kthyer tekniku Agim Canaj. Pasi u kërcënua me jetë nga persona të panjohur bashkë me drejtuesit e klubit, ai u largua drejt Anglisë. Klubi ende nuk ka bërë me dije nëse tekniku i skuadrës shkodrane do të kthehet sërish të drejtojë ekipin.
Sfida Erzeni-Vllaznia luhet ditën e diel në orën 15:00 në stadiumin e Shijakut "Tofik Jashari". Sfida do të luhet pa tifozë, për shkak të dënimit që fusha ka marrë nga Komisioni i Disiplinës.