Qendërmbrojtësi i Shqipërisë dhe Atalantës Berat Gjimshiti është kthyer në element jetik për skuadrën e Bergamos. Media e klubit italian "Calcio Atalanta" i thur elozhe 25-vjeçarit për sigurnë që ka dhënë në prapavijë me Masiellon dhe Mancinin, si dhe për qetësinë që e karakterizon në çdo ndeshje.
Gjithmonë në linjën e klubit, Gjimshiti konsiderohet si njëri prej piketave referuese të strategjive dhe planeve të teknikut Gian Piero Gasperini.

Ndryshe nga sezonet e tjera, kur i është dashur të luftojë për vendin e titullarit te Atalanta dhe të "shtegtojë" në ekipe të tjera, Gjimshiti e ka shpërblyer këtë sezon më së miri besimin e drejtuesve të klubit. Tashmë ai cilësohet i pazëvendësueshëm nga kupola e skuadrës.
Nota të tilla japin përshtypjen se Gjimshiti do të mund të shprehet sa më mirë me fanelën kuqezi, duke lënë pas paraqitjet zhgënjyese të vitit të kaluar. Ndaj Turqisë, tekniku i tij Panuçi ka nevojë për një "mur" solid dhe Gjimshiti bashkë Ardian Ismajlin mund ta garantojnë këtë gjë.