
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, sekretari Shulku, anëtarë të Komitetit, dhe zyrtarë të FSHF-së ishin sot në ceremoninë e homazheve për ndarjen e parakohëshme nga jeta të ish-anëtarit të komitetit ekzekutiv, ish-futbollistit dhe trainerit të Partizanit, Gjergji Thaka. Futbolli ka humbur një prej njerëzve të tij në një kohë që kontributi i tij do të mbahet mend për gjithçka ai ka bërë në futbollin shqiptar. Gjergj Thaka u lidh shumë herët me futbollin.
Ai ishte një nga futbollistët më të njohur të viteve 1960-70. Pasi mbylli karrierën si futbollist Gjergji nuk u nda per asnje çast nga futbolli. Ai e vazhdoi karrierën e tij si trajner në të gjitha nivelet, me moshat, me të rinjtë por edhe me ekipin e pare. Në klubin Partizani, ai ka dhënë një kontribut të veçantë edhe si zyrtar. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij me futbollin i takon edhe viteve kur Gjergji punoi në Federatën Shqiptare të Futbollit, edhe si zv/Sekretar i institucionit, por më vonë edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Klubit Partizani, Gjergji Thaka ishte një ndër katër personalitetet që FSHF i nderoi duke i dekoruar. Lamtumirë Gjergji Thaka! Qofsh i parajsës!