
Skënderbeu dhe Teuta përballen me njëra tjetrën të dielën në orën 16.00. Korçarët kërkojnë të mos dalin pa pikë në këtë takim, me objektivin që është mbijetesa. Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli ka folur në prag të këtij 90 minutëshi.
Ai e di mirë rëndësinë e sfidës së nesërme, vlerëson maksimalisht rivalin, por u shpreh besimplotë se gjërat do shkojnë mirë. Sa i përket euforisë për shkak të rezultateve të mira të marra së fundmi, Memelli nuk i trembet.
"Është ndeshja e radhës, që ka rëndësinë e vet. Padiskutim që Teuta ka kualitete brenda dhe ka një skuadër me eksperiencë. Duke parë çfarë kemi bërë në javët e fundit, si skuadër dhe nga ana individuale, kam besim të jashtëzakonshëm se lojtarët do të bëjnë një ndeshje të mirë nesër. Do të futemi në lojë për të marrë maksimumin.
Nëse performanca do t'i përgjigjet takimit, nëse niveli i intensitetit dhe ana psikologjike do të jetë e duhura, ku unë insistoj që të rrimë tek ai nivel ku kemi qenë në ndeshjet e fundit, besoj që skuadra do të marrë maksimumin, që janë tre pikët. Është një ndeshje ku i ka të tre rezultatet brenda, por ne kërkojmë të marrim më të mirët.Mungesat? Mungon vetëm Pusi, ka një kontraktim në pjesën e kofshës. Jemi në lartësinë e duhur, besoj që edhe nesër lojtarët do të bëjnë më të mirën. Kemi diskutuar me ekipin rreth asaj që bëmë në takimin e shkuar. Do të bëjmë edhe sot një bisedë, do të analizojmë gjërat pozitive dhe negative, sepse kështu përmirësohen lojtarët.
Më vjen mirë që ata janë koshientë dhe janë përmirësuar goxha gjatë gjithë këtyre javëve. Jam i lumtur për ta, sepse kam gjetur një skuadër me lojtarë cilësorë nga ana individuale. Ajo çfarë mungonte ishte pjesa e grupit, të cilën ata e kanë fituar tashmë.Euforia? Nuk më tremb, pasi i kërkoj çdo ditë lojtarëve që të qëndrojnë me këmbë në tokë. Skënderbeu është një klub që i distancon ata që kërkojnë të bëjnë atë çka kërkohet nga ana individuale. Ajo çfarë kërkohet në klub është të jepet maksimumi për skuadrën dhe fanellën" - tha ai.