Një ngjyrë, një emër. Partizani! Ky klub lidh dy figura të njohura të futbollit që kanë kontribuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për Ardian Aliajn dhe Amir Rrahmani. Të dy pjesë e të kuqve në fillimet e tyre, por më vonë arritën majat në futbollin europian.
Dje, Napoli arriti të fitonte titullin kampion pas plot 33 vitesh. Pjesë e këtij ekipi ishte edhe Amir Rrahmani. Ish qendërmbrojtësi i Partizanit shkëlqeu në këtë sezon futbollistik duke qenë titullar fiks i napolitanëve. Festa ishte legjitime pas ndeshjes me Udinesen, ku Napoli siguroi matematikisht titullin kampion.
E në atë mbrëmje speciale nuk kishte si të mungonte as Ardian Aliaj. Miq të vjetër, të dy bashkë për në një të ardhme fantastike, pasi Aliaj është pjesë e rëndësishme e një agjencie menaxhimi lojtarësh dhe vlonjati është përfaqësuesi i tij. Ata shfaqen të qeshur, me Rrahmanin që mban në kokë shallin e Napolit dhe bluzën e kampionit.
Kujtojmë që Ardian Aliaj u transferua nga Partizani në Gjermani te Hanover. Më vonë provoi të luante me Hajduk Splitin, për të kaluar më pas te RNK Split. Më tej u transferua në Belgjikë te Standart Liege për të provuar disa ekipe të rëndësishme në karrierën e tij.
Në Shqipëri të gjithë e mbajnë mend për perlën e tij në stadiumin legjendar Qemal Stafa në vitin e largët 2004. Kuqezinjtë do të mposhtnin 2-1 Greqinë kampione të Europës dhe pikërisht një nga golat do të shënohej nga mëngjërashi me një të majtë të hidhur, thuajse nga mesi i fushës.