Goli i Armando Sadikut dhe fitorja me Rumaninë e ka ekzaltuar jashtëzakonisht, ndoshta më shumë se ne shqiptarëve. Numri 2 i stolit kuqezi, Paolo Tramexani, njeriu që ka bërë një punë kolosale në ndjekjen e gjithë lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionate të huaja, mendon se Shqipëria mund të shkojë shumë larg në të ardhmen. Ai ka një listë me lojtarë të Kombëtares, të cilët janë gati për të luajtur në Serinë A. “Në ekip kemi lojtarë me kualitet dhe me një të ardhme të sigurt. Po ju them se lojtarë si Cikalleshi, Kaçe dhe Roshi apo ndonjë tjetër mund t’i shikoni nesër të luajnë në Serinë A, pasi i kanë të gjitha kapacitetet”, - është shprehur Tramexani.
Performanca në Europian i ka rritur ndjeshëm vlerat e gjithë lojtarëve të Kombëtares sonë. Mund të veçohen padyshim Armando Sadiku, autori i golit historik ndaj Rumanisë, por edhe Ledjan Memushaj. Ky i fundit e ka arritur tashmë Serinë A me Peskarën e tij.