Prej kohësh ishte përfolur në rrjetet sociale por tani është bërë zyrtare. Grupimi i tifozëve të Shkupit (Shvercerat), Tiranës (Fanatics) dhe Prishtinës (Plisat) nuk janë më së bashku. Ndarja është bërë pa thënë mirëupafshim. Shkaqet e kësaj përçarje të një nga grupimeve më të mëdha në tifoskenën shqiptare nuk dihen. E sigurtë është se këto tre grupime nuk do të qëndrojnë më së bashku në një tribunë për ndeshjet e Kombëtares. Fanatics vazhdojnë vëllazërinë me Shvercerat e Shkupit ndërkohë që Plisat e Prishtinës kanë nisur një miqësi të re prej disa muajsh me një tjetër grupim tifozësh bardheblu të Tiranës (West boys 86). Një ditë më parë për newsport.al kryetari i Plisave Albert Bunjaku kur u pyet nëse tifozët e Prishtinës do të qëndronin së bashku me ata të Tiranës dhe Shkupit iu përgjigj: Ne i kemi siguruar biletat për grupin tonë. Tani ndeshja po luhet në një stadium të ri e ne duhet të kujdesemi që të pozicionohemi sa më mirë përkrah Kombëtares. Ndërsa Omer Bunjaku, kryetari i tifozëve të Shkupit të njëjtës pyetje ju përgjigj: Shvercerat do jenë bashkë me Tirona Fanatics.
Mbetet për t’u mësuar arsyeja pse ka ardhur kjo ndarje e tre grupimeve që i vendosën emrin grupit të përbashkët “Elita e tifozerisë”.
https://www.youtube.com/watch?v=TUP8K4aAJ9o