Pas dy miqësoreve me Malin e Zi, Shqipëria U-17 do të zbresë sërish në fushë. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Azerbajxhanit që Shqipëria U-17 të luajë dy sfida miqësore në datat 17 dhe 19 qershor ndaj Azerbajxhanit U-17.
Ndeshjet do të luhen në vendin tonë në stadiumin “Egnatia Arena” dhe të dyja takimet do të zhvillohen në orën 18:00.
Edhe ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin U-17 do të shërbejnë për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët e grumbulluar, për t’u përgatitur sa më mirë për raundin e parë kualifikues për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, Shqipëria U-17 u pozicionua në Grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.
Shqipëria U-17 është e kualifikuar automatisht në finalet e Europianit U-17 pasi ky event madhor do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, në vendin tone.