Arbitri i Kategorisë Superiore që mban stemën e FIFA-s, Juxhin Xhaja është "degëdisur" në kampionatin amator që zhvillohet në Shqipëri,"Sunday League". Ai do të jetë gjyqtar kryesor në ndeshjen e sotme çerekfinale që do të luhet mes Nova dhe Prestige.
Duket disi e çuditshme që nga gjyqtarët kryesor të Superligës që mban edhe stemën e FIFA-s të gjykojë në një kampionat amator futbolli 9x9. Lajmi është konfirmuar nga "Sunday League" në faqen zyrtare që bën me dije se çerekfinalja e sotme, Nova-Prestige do të gjykohet nga arbitri i Superligës.
Juxhin Xhaja ishte gjyqtar kryesor në sfidën e javës së kaluar, Skënderbeu-Bylis ku gaboi duke anulluar një gol të rregullt për Bylisin dhe një penallti për Skëndereu. Pas kësaj ndeshje, Xhaja është "dënuar" duke mos drejtuar asnjë ndeshje të Superligës të luajtur pak ditë më parë.
