I punësuar ose jo, i pari zyrtar i lartë i qeverisë, që kërkon ndjesë për prishjen e fasadës së stadiumit “Qemal Stafa”, është kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame. Në një postim të thjeshtë e pa fjalë në facebook, Artan Lame, ish drejtues i Forumit për Trashëgimninë Kulturore shkruan: “Ndjesë”. Kërkesën për falje, e ka shoqëruar me një foto ku shquhet fasada e Stadiumit “Qemal Stafa”. Artan Lame dhe Artan Shkreli, të dy ish drejtues të Forumit për Trashëgimninë Kulturore, u vendosën “nën akuzë” në rrjetet sociale nga shumë njerëz se pse nuk flasin për atë që ndodh me stadiumin “Qemal Stafa”. Lame duket se pakënaqësinë e tij me projektin e shprehu që në diskutimin e tij te Hotel Tirana ku drejtues të Forumit të Trashëgiminisë dhe nga shoqeria civile nuk u lejuan të hyjnë. Ai u largua nga mbledhja.