Juventus kryeson Serinë A të futbollit italian dhe fitorja e fundit ndaj Milan, e sheh ekipin nga Torino të jetë sërish protagonist për të nëntin vit radhazi. Një nga përforcimet më të kushtueshme këtë vit ishte mbrojtësi De Ligt, i vendosur në qendër të akuzave pas disa paraqitjeve jo në nivelin e pritur. Hollandezi që ka zënë vendin e titullarit edhe për shkak se kapiteni Chiellini vuan nga një dëmtim.
Nga grumbullimi me “Tulipanët” ai ka folur lidhur me “kritikat” në drejtim të tij. “Kritikat? Ka qenë vetëm një moment që mund t’iu ndodhë të gjithëve. Kam zhvilluar një paraqitje të mirë ndaj Milan, ashtu si ekipi. Gjeta dhe rrugën e rrjetës me Torinon. Po, ishte kënaqësi pasi Juventus mbetet një markë e madhe. Jam shumë i lumtur dhe dua të jap më të mirën çdo ndeshje”, është shprehur 20 vjeçari. Matthijs De Ligt u afrua te bardhezinjtë për shumën e 75 milion eurove.