
Një çështje e rëndësishme që u diskutua në mbledhjen e zhvilluar mes drejtuesve të FSHF-së dhe atyre të klubeve, ishte edhe bashkëpunimi me tifozët.
Një nga zyrtarët e klubeve që dha një ide që u mbështet nga të gjithë të pranishmit, ishte Arbi Laçi. Ky i fundit i kërkoi zyrtarëve të Federatës që të shmangnin dënimet kolektive. Ai kërkoi nga të gjithë të pranishmit që produktin ta shtojnë dhe jo ta mbyllin.
"Unë do të sugjeroja që dënimet kolektive të eleminoheshin. Dua t'iu them të gjithëve këtu, që hajde të gjejmë problemin ku është. Mos mundohemi të largojmë produktin nga stadiumi. Të përqëndrohemi me ata dy ose tre individë që bëhen shkak i një dënimi kolektiv.
Nuk kam parasysh fare klubin që përfaqësoj. Nëse do të mbyllim stadiumin, përjashtojmë tifozë të pafajshëm. Duhet një bashkëpunim real mes klubeve, federatës, kompanisë së sigurisë dhe policisë. Kam përshtypjen se stadiumet do të jenë të mbushura", deklaroi drejtori sportiv i Tiranës, Arbi Laçi.