
Akoma nuk dihet se kur do të rinisë kampionati. Klubet që janë akomoduar prej më shumë se një jave në Turqi kanë rezervuar biletat e kthimit por askush nuk di të thotë nëse do të kthehen apo do të qëndrojnë edhe për disa ditë më tepër. Teuta dhe rregullorja e kampionatit mbajnë peng axhendën.
Disa ditë më tepër në Antalia mund të llogariten vetëm nëse kampionati do të shtyhet me një jave tjetër. Drejtuesit e Teutës deri tani nuk janë dorëzuar ndërkohë që gjasat janë të mos bëjnë hapa pas. Skënderbeu, Partizani, Tirana, Kukësi, Flamurtari dhe Luftëtari do të jenë të detyruar të rikthehen sipas planeve të paracaktura nëse deri të dielën nuk do të ketë zhvillime për zhvendosjen e kampionatit. Rregullorja përcakton që edhe nëse një klub të votoj kundër shtyrjes, ajo nuk mund të realizohet. Edhe pse sekretari i FSHF-së Ilir Shulku deklaroi të kundërtën, rregullorja e përcakton. Nëse do të ishte ndryshe zyrtarizimi për shtyrjen tani do të ishte bërë fakt.