Skënderbeu është duke u përforcuar në të gjitha repartet, ndërsa shumë lojtarë me potencial të Kategorisë Superiore kanë firmosur për 7-herë kampionët e vendit. Janë “blinduar” disa reparte, sidomos mbrojtja dhe sulmi, ndërsa po punohet fort për mesfushën.

Drejtuesit kanë kontaktuar disa futbollsitë, por ende nuk kanë arritur marrëveshjet zyrtare. Bëhet fjalë për Arbnor Fejzullahun e Partizanit dhe Gledi Micin e Kukësit. Ky i fundit është aktualisht pjesë e verilindorëve dhe të enjten do të jetë i gatshëm për sfidën kundër Rudarit. Por, zërat e merkatos e çojnë në Korçë pas Europës, ndërsa dhe burime pranë tij pohojnë të vërtetën.
Informatorët pranë lojtarit bëjnë me dije se ai do të respektojë kontratën që ka me Kukësin për ndeshjet e Europës, ndërsa më vonë e ardhmja mund të jetë diku tjetër. Alternativa më e mirë për momentin mbetet Skënderbeu, kështu që çdo gjë mund të ndodhë.
Mici mund të luajë te Skënderbeu vetëm nëse ky ekip hyn në fazën “play-off” të Europa apo Champions League, sepse sipas rregullores nuk lejohet aktivizimi i një lojtari në dy ekipe gjatë fazës eliminatore të këtyre dy kompeticioneve. Kështu, Mici do të vazhdojë i lirë aventurën në raundet eliminatore me Kukësin dhe më pas ai pritet të ndërrojë ekip.