Ilir Daja ka folur sot gjatë seancës stërvitore për mikrofonin e Supersport. Trajneri i Skënderbeut foli për miqësoren e djeshme, shtyrjen e kampionatit dhe shitjen e Zekës. Ish- tekniku bardheblu deklaroi:
“Mendoj që në ndeshjen e djeshme në ndërtimet e aksioneve skuadra më kënaqi shumë. Qoftë edhe në shënimin e golit, ku Salihi arriti të realizojë pasi e ka në ADN-në e tij golin. Edhe gjendja fizike e lojtarëve ishte e mirë, pasi jemi ende në fazë përgatitore. Për sa i përket merkatos, mund të them që Alex mund të bëhet shumë shpejt pjesë e grupit. Ndërsa sulmuesi Charle mendoj se mund të shihet si lojtar i prespektivës.
Fakti i analizës i takon të shohim si ka qenë dhe si janë. Mendoj që çdo trajner ka filozofinë e tij, shpesh herë ana emocionale nuk të lejon ta bësh si duhet punën.
Për sa i përket shtyrjes së kampionatit është një amulli. Ne nuk dimë se kur do ta nisim fazën e tretë, sepse nuk është njësoj si ta nisësh me 21 ose me 28. Nëse kampionati do të shtyhet, edhe ne do të qëndrojmë më shumë pasi kushtet janë optimale.
Për sa i përket Zekës dua të them që është diçka pozitive, është politika e klubit që e ka mundësuar diçka të tillë. Kjo është e mirë edhe për ne teknikët, pasi ne kemi mundësi që t’i japim hapësira edhe të rinjve, por pa prishur balancën në grup në mënyrë që të promovohen në ekipet e huaja”, përfundoi Daja.