FSHF ka nisur sot startin e bisedimeve për implementimin e një strategjie konkrete për futbollin e moshave dhe veçanërisht për grup-moshën U-15.
Takimi për këtë diskutim është bërë sot mes Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, zv.presidentit të Federatës, Edvin Libohova, anëtarit të KE-së, Vasil Bicit, përgjegjësve të zonave rajonale, si dhe stafet e kombëtares të zonave për moshën U-15.
"Një program unik për moshat në të gjithë Shqipërinë, por edhe një start i implementimit të një strategjie konkrete për moshat dhe veçanërisht për moshën U-15 ishin në qendër të një takimi me të gjithë përgjegjësit e zonave rajonale, si dhe stafet e kombëtares të zonave për moshën U-15.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së Shulku kërkoi me insistim të plotë që ky program unik që FSHF ua shpërndau zonave të jetë edhe kontenti bazë për punën e të gjithë trajnerëve me moshat në zonat dhe qytetet respektive si një direktivë e plotë dhe e drejtpërdrejtë e FSHF-së, por edhe si një prioritet më vete për këtë vit.
Në prezencën e zv.presidentit të FSHF-së Edvin Libohova dhe anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Vasil Bici, stafet dhe përgjegjësit zonalë morën udhëzimet konkrete në lidhje me këtë gjë.
Programet janë gati dhe ato do të zbatohen rreptësisht në të gjithë shtrirjen trainuese të moshave", shkruhet në lajmërimin për shtyp të postuar në faqen zyrtare të FSHF-së në Facebook.