
Mbrëmjen e së enjtes të 14 korrikut ekipi i Kukësit do të ndeshet në stadiumin “Ernst Happel” të Vienës përballë ekipit austriak Austria Vienë. Ndeshja ka një rëndësi të madhe pasi është e vlefshme për turin e dytë kualifikues të Europa League.
Ekipi i drejtuar nga Hasan Lika ka përforcuar grupin e futbollistëve para këtij takimi me 3 përforcime nga Skënderbeu, Lilaj, Latifi dhe Fukui, por vetëm 2 prej tyre pritet të jenë të gatshëm pasi nga turi në tur nuk mund të bëhen më shumë se 2 ndryshime në listën e futbollistëve.
Pavarësisht kësaj çështjeje, shqetësimi më i madh i Likës do të jetë mungesa e mbrojtësit Gentian Muça. Futbollisti i ardhur nga Tirana në huazim për ndeshjet europiane ka një shqetësim muskulor dhe nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin në ndeshjen e parë. Megjithatë ai do të udhëtojë bashkë me grupin drejt Austrisë.