
Elvi Berisha ishte njeriu i ndeshjes në duelin e djeshëm mes Skënderbeut 1-1 Vllaznia. Sulmuesi anësor i korçarëve vuri në vështirësi serioze kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta. 21 vjeçari tregoi cilësi të lartë në kontrollin e topit, teknikë dhe driblime një për një.
Edhe goli i vendasve erdhi si pasojë e një shpërthimi të tij në krahun e majtë të sulmit. Berisha ka lindur në Fier, teksa ka qenë pjesë e Akademisë së Apolonisë deri në vitin 2014. Në këtë vit, Berisha u bashkua me U17 e Tiranës ndërsa në sezonin 2017 u afrua me ekipin e parë.
Në gushtin e 2017, Berisha kaloi te Leganes B në Spanjë, duke rritur cilësinë e lojës. Pas një sezoni në Gadishullin Iberik, lojtari u bashkua me Laçin ku luajti dy sezone. Janari i 2020 do sillte kalimin e sulmuesit te Skënderbeu, teksa këtë sezon ka luajtur 21 ndeshje nga të cilat ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë dy asiste. Berisha ka qenë kontigjent i Kombëtares shqiptare U19.