Kukësi ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Verilindorët e drejtuar nga trajneri Skënder Gega kanë zbritur sot në fushë. Në kompleksin “Football Republic” në periferi të kryeqytetit, kuksianët janë vënë nën urdhrat e teknikut tropojan.
Me skuadrën janë stërvitur dhe afrimet e reja, si dhe prezent kanë qenë edhe pjesëtarët e rinj të stafit teknik. Lajmi bëhet me dije nga klubi kuksian që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar shkruan:
“Skuadra ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri 2022-2023. Ekipi ka zbritur në fushën e blertë duke zhvilluar seancën e parë stërvitore nën urdhërat e trajnerit Skënder Gega, i cili në këtë rikthim po ndihmohet nga Pero Pejic.
Skuadra do të vijojë me përgatitjet në Tiranë deri në datën 25 korrik teksa më pas udhëton drejt Turqisë për fazën përgatitore. Me ekipin janë bashkuar afrimet e reja të bëra në merkaton e verës. Gjatë përgatitjeve në Tiranë, ekipi do të zhvillojë edhe miqësore, kundërshtarë të cilët do të zbulohen me kalimin e ditëve”.