
Kosova ka fituar përballë Islandës ndeshjen e parë “play-off” të Nations League, ku po luftohet për një vend në Ligën B. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfundoi 2-1 në favor të dardanëve.
Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i Kosovës, Franco Foda. Ky i fundit shprehet i kënaqur me lojën e zhvilluar nga ekipi i tij si në pjesën e parë apo në të dytën, teksa thekson se mund të shënonin më shumë gola.
“Në 15 minutat e para të lojës luajtëm mirë dhe kaluam me meritë në epërsi. Por më pas e humbëm kontrollin e lojës pak. Nuk funksionoi ashtu si mendova në fillim.
Pas pjesës së parë kemi bërë disa ndryshime. Kemi ndryshuar edhe sistemin e lojës. Jam i lumtur me pjesën e dytë dhe jam i kënaqur me gjithë ekipin.
I kishim mundësitë që të shënonim më shumë gola, por Islandës patjetër që i duhet fitorja. Nëse vazhdojmë me lojën e njëjtë si në pjesën e dytë do të jetë e vështirë për Islandën, ndërsa ne synojmë Ligën B”, është shprehur Franco Foda.