Sot do të luhet java e 34-të e Superligës së Kosovës, aty ku spikat më së shumti “beteja” e fortë mes skuadrave që duan qëndrimin në elitë, ndeshje të cilat do të luhen në orën 16:00.
Llapi i vendit të 8-të do të masë forcat në transfertë përballë Gjilanit. Me distancën që është momentalisht në -2, skuadra llapjane do tentojë të bëjë mrekullinë për të parakaluar Dukagjinin që në anën tjetër pret në shtëpi kampionët e Dritës.
Sakaq, Ballkani i vendit të dytë do bëj çmos që të ruajë këto pozita që i sigurojnë dhe një vend në kualifikueset e Ligës së Konferencës dhe do të duelojë përballë Prishtinës së Re e cila ka prerë me kohë “biletën” e rënies një kategori më poshtë.
Malisheva që pozicionohet e 3-ta në klasifikim do të presë Drenicën, me misionin për të “hipotekuar” edhe ajo njëjtë si Ballkani objektivin për zonën europiane, teksa Prishtina “pa objektiv” do të ndeshet me Ferizajn.
