Korabi është duke u stërvitur në prag të takimit kundër Tiranës, i cili do të luhet pasditen e së mërkurës në “Selman Stërmasi”. Sfida ndaj bardhebluve është mjaft e rëndësishme, ndërsa ekipi i trajnerit Artan Mërgjyshi vjen me moralin e lartë pas fitores ndaj Teutës.
Por, dy fakte mjaft të rëndësishëm e shqetësojnë kreun e pankinës dibrane, i cili po mundohet që të ndërtojë formacionin e duhur për takimin kundër Tiranës. Arian Sheta mungon, pasi u ndëshkua me dy kartonë të verdhë në sfidën ndaj Teutës, ndërsa rikthehet Elvis Prençi. Por, për qendrën e mbrojtjes trajneri pritet që të vendosë në momentin e fundit, pasi po sheh gjendjen e lojtarëve.
Shqetësim i madh mbetet porta. “Gardiani” Miroslav Vujadinoviç është parë afër klinikës “Milano Medical Center” prej disa ditëve radhazi, ndërsa mësohet se ka probleme fizike në prag të takimit dhe mund të mos luajë. Stafi teknik po punon me portierin e dytë, Erkan Spahija, i cili mund të nisë takimin e parë si titullar në Superiore.