
Drita dhe Prishtina do duhet të zhvillojnë ndeshjen për Superkupën e Kosovës. Për shkak të Pandemisë, dueli mes fituesve të kampionatit dhe kupës në futbollin kosovar nuk u zhvillua në fillim të sezonit të ri.
Faza përgatitore e janarit i ka gjetur dy skuadrat me plane të njëjta. Drita dhe Prishtina do udhëtojnë drejt Antalias në Turqi. Prishtina udhëton drej Turqisë në 19 janar, ndërsa Drita një ditë më vonë, me klubet që kanë gjetur akordin që ndeshja e Superkupës të zhvillohet në Antalia.
Tanimë mbetet që Federata e Futbollit e Kosovës të vendosë nëse është dakord, duke marrë përsipër edhe organizimin e sfidës. Njëjtë si në disa vende europiane, edhe Kosova pritet ta zhvillojë Superkupën jashtë vendit.