
Ardian Mema nuk është më trajner i Pogradecit. Ish-i i Tiranës ka dhënë dorëheqjen nga ky post, duke vendosur të mbyllë aventurën e tij me pogradecarët para kohe.
Drejtuesit e kanë pranuar kërkesën e Memës dhe në këtë mënyrë i kanë dhënë fund bashkëpunimin mes tyre. Është vetë trajneri që e ka konfirmuar diçka të tillë në një prononcim për RTSH Sport.
“Po, jam larguar nga Pogradeci, kam dhënë dorëheqjen. Pas humbjes me Luftëtarin jam takuar me presidentin e klubit dhe i kam paraqitur dorëheqjen. Jemi takuar përsëri sot, presidenti më ka pranuar dorëheqjen, ishte një ndarje shumë miqësore”, ka deklaruar 53-vjeçari.
Kujtojmë se timonieri kryeqytetas mori drejtimin e Pogradecit më 11 nëntor 2024, ku arriti të kualifikonte Pogradecin në “Play-Off” për ngjitjen në Superiore. Por pogradecarët u mposhtën nga Tirana në “finalen” për Superioren, teksa edhe këtë sezon klubin ka të njëjtët objektiva, rikthimi në elitë.
Aktualisht pas 6 javëve kampionat ndodhen në vendin e 6-të me 8 pikë. Ndërkohë pak ditë më parë u mposhtën 3-2 nga Luftëtari dhe kjo humbje nuk u “kapërdi” dot nga Mema.