Të paktë ishin ata që mendonin se kapiteni Lorik Cana do ta niste nga stoli ndeshjen me Rumaninë, ku luajti Arlind Ajeti, që po gëzon një formë shumë të mirë. Trajneri De Biazi e ka pasur shumë të vështirë të merrte vendimin për ta lënë në stol kapitenin, por gjithçka ia ka bërë më të lehtë vetë Loriku. Ai e ka pranuar me shumë profesinalizëm qëndrimin në stol, duke thënë: “Skuadra mbi të gjitha. Edhe unë po të isha trajner, këtë zgjedhje do të bëja.” Një sjellje prej zotërie, ashtu siç Cana bën gjithmonë, duke vënë së pari në pah vlerëat njerëzore dhe pastaj ato sportive. Në këtë sens, imazhi i tij për gjithë tifozët kuqezi merr përmasa edhe më të mëdha. Cana luajti si zëvendësues në fundin e ndeshjes me Rumaninë, ndërsa gjithë shokët e ekipit vazhdojnë të theksojnë se ai mbetet lideri i Kombëtares.