
E çuditshme por e vërtetë mënyra se si mediat sportive kërkojnë me çdo kusht të krijojnë polemika, nxisin akuza dhe kundër akuza për të ndërtuar një antireklamë të madhe. Klane, aleanca, trukim, hetim, koefiçentë, dhunë, plas e shpërthen, lexon pambarimisht në të përditshmet sportive që më pas kërkojnë dhe analizojnë pse nuk ka tifozë në stadiume. Ironike.
Gjithë javën nxisin polemika, shiten ekskluzive me akuza që ngrihen shpesh herë për të mos thënë gjithmonë nga telefonatat provokative të gazetarëve që nga zyra "gjejnë" lajme...dhe më pas duan tifozë, femra e fëmijë.
E gjitha një farsë që i është lënë në dorë kolegëve gazetarë që shpesh herë besojnë e mendojnë se mund të burgosin drejtues, gjobisin lojtarë e presidentë apo dhe të pilotojnë kampionatin. E bërë gjithë kjo, sipas asaj që i thonë kryeredaktorëve në mbledhje; Për të mirën e futbollit.