Albpetroli është një nga skuadra që pretendon të ngjitet në Kategorinë e Parë këtë sezon. Skuadra patosarake rivalon me Maliqin dhe Tomorin dhe ndodhet vetëm 3 pikë larg vendit të parë.
Në faqen zyrtare, Albpetroli ka kujtuar suksesin e arritur në sezonin 2012-13 kur u shpall kampione e Kategorisë së Dytë.
Sfida e fundit u luajt ndaj Veleçikut në shtëpi dhe u fitua me rezultatin e pastër 3-0. Këtë sezon Albpetroli kërkon të përsërisë të njëjtin sukese edhe pse gara është tepër e fortë duke parë që përballë janë Maliqi dhe Tomori që kanë të njëjtin objektiv.
Kampion që në tunel, Albpetroli ngre kupën 2 Maj, 2013
ALBPETROLI-VELEÇIKU 3-0
Golat: K.Arapi 6′, Aliaj 12′, Goxhaj 76′
ALBPETROLI: Aga, Mbyeti (Jovani 75′), Çemeri, Leka, Aliaj, A.Arapi, Brajtja, Kule (Hidersha 73′), K.Arapi, Goxhaj, Hysenshanaj (Papingu 84′). Trajner: A.Ymeri
VELEÇIKU: Dorzaj, Raiçeviç (Hysaj 75′), Kukaj (Plishta 47′), Lami, Banushi, Osmani (Hila 52′), Çolaj, Fishta, Mikuli, Çokaj, Kurtaj: Trajner: B.Duli
KARTONË TË VERDHË: Bratja 46′, Fishta 54′, Mikuli 71′
KARTON I KUQ: Leka 24′, 88′(2v)
GJYQTARË: A.Koçi, F.Elezi, F.Lama (Durrës)
VËZHGUES: Albano Janku (Tiranë)
0
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
Albpetroli është kampioni i Kategorisë së Dytë për këtë sezon. Skuadra nga Patosi ka mundur dje me rezultatin e pastër 3-0 ekipin e Veleçikut në finalen e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, në një sfidë të dominuar krejtësisht prej tyre. Me dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën, Albpetroli u shpall kampion. Skuadra e drejtuar nga tekniku Arben Ymeri ishte vendosur mirë në fushë ndërsa shfrytëzoi mjaft mirë rastet e krijuara, duke treguar se nuk kishte ardhur në Durrës për piknik. Ndërkohë, ekipi i Veleçikut nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe hasi vështirësi duke mos e përballuar forcën e kundërshtarit.
Pjesa e parë Që me vërshëllimën e parë të gjyqtarit Andi Koçi, skuadra e Albpetrolit e mban frymën në zonën kundërshtare. Pa kaluar as 5 minuta nga fillimi i takimit, krijojnë rastin e parë për shënim. Hysenshanaj i shpëton mbulimit të mbrojtësit dhe në fundore pason për Goxhajn, i cili godet, por topi përfundon jashtë. Nga një aksion pa shumë pretendime topi përfundon në zonën e Veleçikut, mbrojtësit e të cilit nuk arrijnë ta largojnë, aty përfiton Arapi, i cili godet dhe shënon golin e parë në këtë finale. Ndonëse në avantazh, Albpetroli vijon të sulmojë portën e mbrojtur nga portieri Dorzaj, i cili kishte shumë punë në këtë përballje. Pas një aksioni të gjatë, patosarakët fitojnë një goditje dënimi pak metra larg zonës në pozicion ballor. Ekzekutimin e saj e merr përsipër Aliaj, i cili me një ekzekutim spektakolar e dërgon topin atje ku portieri Dorzaj nuk ka se çfarë t’i bëjë, 0-2. Të gjendur në disavantazh, lojtarët e Veleçikut përpiqen të reagojnë dhe shkëndijën e parë e jep Kurtaj që lëshon një predhë nga distanca, por portieri Aga i përgjigjet me një pritje spektakolare.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis më mirë për skuadrën e Albpetrolit, që hidhet në sulm për të shënuar golin e tretë. Goxhaj pason bukur në hyrje të zonës për Arapin, ky i fundit pasi hyn së bashku më topin brenda zonës, përballë portierit nuk mund ta dërgojë topin në rrjetë. Veleçiku nuk ka se çfarë të humbasë dhe hidhet i gjithi në sulm, por hapësirat që lenë mbrapa janë shumë të mëdha dhe mund të shfrytëzohen mjaft kollaj nga lojtarët e Albpetrolit që përdorin kundërsulmin. Veriorët e zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare për disa minuta dhe nga një goditje dënimi, e cila devijohet nga kapiteni Çolaj, topi përfundon në rrjetë, por gjyqtari ka parë diçka të parregullt në zonë dhe e anulon golin. Kundërsulm i Albpetrolit që zbret në gjysmëfushën kundërshtare me 5 lojtarë. Të befasuar, lojtarët e Veleçikut shkaktojnë faull taktik. Për të ekzekutuar afrohet i përhershmi Aliaj, i cili dërgon një kros të ulët në zonë, atje ku ndodhej Goxhaj, i cili e shtyn sferën drejt rrjetës, duke shënuar golin e tretë. Tashmë veriorëve u mbetet të shënojnë vetëm golin e nderit dhe e patën rastin në fund të ndeshjes, ku fituan një penallti. Ekzekutimin e saj e merr përsipër portieri Dorzaj, por gjuajtja e tij u prit mjeshtërisht nga homologu i tij, i cili tregoi siguri të madhe në këtë finale.
Ymeri:
E meritonim këtë titull
Pas ndeshjes, trajneri i Albpetrolit, Arben Ymeri, tha: “Kemi zhvilluar një edicion të shkëlqyer, të cilin e finalizuam me këtë fitore të merituar. Ishim përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe më në fund ia arritëm qëllimit duke e fituar këtë finale. Skuadra luajti mjaft mirë dhe nuk bëri asnjë gabim, dhe kjo besoj se tregon që jemi një skuadër e kolauduar mirë. Besoj se e merituam këtë fitore, si dhe shpalljen kampionë të Kategorisë së Dytë. Mendoj se momentalisht duhet të shijojmë fitoren dhe të qenit kampionë, e më pas të vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të bëjmë të njëjtën paraqitje edhe në Kategorinë e Parë”.
Elion Bratja
Kapiteni i Albpetrolit, Elion Bratja, pas ndeshjes u shpreh: “Jemi shumë të lumtur që arritëm të shpalleshim kampionë të Kategorisë së Dytë. Kjo fitore ishte qershia mbi tortë për këatemmtë kampionat të gjatë dhe të vështirë. Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, ku e gjithë skuadra ishte e mobilizuar. Tashmë na duhet që këtë paraqitje ta tregojmë edhe në Kategorinë e Parë, ku skuadrat dhe kundërshtarët janë më të fortë”.
