Vllaznia luan nesër në 21:00 me Universitatea Craiova për turin e dytë në Conference League. Në “Loro Boriçi”, kuqeblutë kërkojnë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë ndaj rumunëve.
Para medieve ka folur kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. Mbrojtësi tregon se në fushë nuk luajnë buxhetet e klubeve dhe pagat e futbollistëve, duke motivuar bashkëlojtarët e ekipit.
Gurishta flet edhe për afrimet e merkatos së verës dhe golat e munguar, teksa për të nuk janë domosdoshmëri për të kaluar në fazën tjetër të UECL.
“Jemi dy vite radhazi në Europë dhe kemi dy vite që fitojmë Kupën e Shqipërisë. Vjet rikthyem rezultatin ndaj Siroki Brijeg nga 1-3. Kishim objektiv të kalonim turin e parë dhe ia dolëm.
Këtë sezon luajmë në turin e dytë dhe të mendojmë kualifikimin duke dhënë maksimumin.
Kundërshtari favorit? Të them të vërtetën janë në letër, statistika dhe buxhet. Në futboll nuk luan buxheti apo paga e futbollistëve. Në futboll fiton ai që jep shpirtin në fushë.
Afrimet e reja? Duke parë ndryshimet dhe largimet, besoj janë afruar ata të duhurit. Faza përgatitore ka qenë e mirë dhe lojtarët e rinj janë përshtatur mirë.
Puna e mbrojtjes nesër? Duke parë cilësitë e kundërshtarit në sulm, mbrojtja duhet të jetë më e kujdesshme dhe e përgjegjshme. Të mendojmë si do luajmë ne dhe jo cilësitë e kundërshtarit.
Golat? Me llogjikë duhen golat por jo domosdoshmërisht duhet të shënosh për të kaluar turin. Ne do luajmë për fitore, jemi në fushën dhe qytetin tonë. Kemi edhe tifozët tanë përballë dhe do japim gjthçka që ta fitojmë ndeshjen në Shkodër”, tha Gurishta.