
Interi ka nisur prej ditësh përgatitjet për sezonin e ri. Zikaltërit zyrtarizuan Simone Inzaghin si trajnerin e ri dhe shpresojnë të mbrojnë titullin kampion të fituar sezonin e kaluar.
Në një intevistë të gjatë për "Gazzetta dello Sport", mbrojtësi i Interit, Milan Skiniar foli për gjithçka duke prekur tema të ndryshme. Sllovaku u shpreh se tani zikaltërit janë kampionët e Italisë dhe të tjerët duhet ta ndjekin, ndërsa në fund foli edhe për largimin e Contes si dhe ardhjen e Inzaghit në stolin e Interit.
"Ndjenja e fitimit të titullit është e mrekullueshme. Ne e meritonim dhe duke e parë të stampuar në gjoks na jep energji dhe besim për të ardhmen. Secili klub punon për të fituar. Këtë verë, përgatitja do të jetë më e gjatë, kështu që do të ketë kohë për trajnerët e rinj të përcjellin konceptet e tyre të lojës. Pastaj, u takon lojtarëve që t'i përthithin udhëzimet e tyre sa më shpejt. Interi tani duhet të mendojë vetëm për veten, ne jemi kampionët e Italisë. Këtë herë janë të tjerët që duhet të na ndjekin".
Largimi i Contes? "Më befasoi me vendimin e tij, me Conte ishim bërë si një familje. Pastaj është e qartë se kur fiton titullin dëshiron të vazhdosh, të luftosh së bashku për objektiva të rinj. Por kjo është mënyra se si shkoi, trajneri bëri zgjedhjen e tij. Tani nuk duhet të mendojmë për të kaluarën, por çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen".
Inzaghi? "Po provon të tregojë se është i përgatitur dhe i nivelit të lartë. Qëllimi mbetet titulli. Pas fitimit të kampionatit, nuk mund të synosh asgjë më pak. Ne do të punojmë për ta përsëritur suksesin, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë. Eriksen? E ndoqa përmes televizorit dhe isha shumë i frikësuar. Isha i pikëlluar derisa biseduam përmes grupit të ekipit. Chris është një djalë i artë, është i ri dhe kampion, ne po e presim në fushë. Gjëja më e rëndësishme është që tani të jetë mirë me shëndet".